Nga euforia pas Barcelonës te zero trofe dhe dhoma e zhveshjes në kaos: Inter, çfarë ndodhi në 55 ditë

02/07/2025 22:29

Kanë kaluar më pak se dy muaj nga fitorja e bujshme e Lautaros dhe shokëve kundër skuadrës së Flick, por sot bota zikaltër është përmbysur krejtësisht.

Dhe grupi është i përçarë. Gazeta me e madhe sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” analizon çfarë ka ndodhur me Interin ne fundin e sezonit.

6 maj 2025. Ishte nata e Inter-Barcelona, mbrëmja historike që i solli zikaltërve finalen e dytë të Ligës së Kampionëve brenda tre vitesh dhe një seri revanshesh: në radhë të parë për Interin, që u rikuperua pas një fund-prilli katastrofik me tre humbje radhazi ndaj Bolognës, Milanit dhe Romës – që i kushtuan titullin dhe Kupën e Italisë; pastaj për Acerbin, që me një gol “prej sulmuesi të lindur” e çoi ndeshjen me Barcelonën në shtesë; dhe për Frattesin, që përmbysi rezultatin kundër skuadrës së Flick dhe festoi deri në rraskapitje. Niveli i adrenalinës ishte në qiell. Ëndrrat mund të përdoreshin me dorë. Dhe, përveç Kupës së Italisë, gjithçka tjetër ishte ende e hapur: Interi fluturonte në Europë me një rrugëtim epik dhe bindjen se PSG, edhe pse më e fortë teknikisht, nuk ishte aq e përgatitur – apo e mësuar – për një skenë si finalja e Champions-it. Në kampionat, ndjekja ndaj Napolit nuk ishte ende përfundimisht e humbur. Mjaftonte një hap i gabuar i skuadrës së Contes – që erdhi – por u shpërdorua. Dyshja trofesh, me objektivin Botëror që vinte më pas, ishte ende aty, fare pranë. Pesëdhjetë e pesë ditë pas asaj nate magjike me Barcelonën në San Siro, bota zikaltër është përmbysur totalisht. Dhe “titujt” kanë mbetur në zero, ndonëse Interi kishte 5 kompeticione për të fituar të paktën një (Serie A, Kupa e Italisë, Superkupa, Champions League dhe Botërori për Klube).

NGA EUFORIA NË DEPRIMIM

Është e vërtetë që sezoni ishte i gjatë, i lodhshëm, rraskapitës, por Interi e nisi me skuadrën më të fortë në Itali dhe vinte nga një progres i madh në Europë. Të diskutosh sot për atë që mund të kishte qenë, por nuk qe dhe nuk do të jetë, është ndoshta disfata më e madhe nga të gjitha. Por si mundi të rrëzohej kaq thellë një skuadër që deri pak më pak se dy muaj më parë ishte në garë për kompeticionet më prestigjioze, dhe që sot është e përçarë? Inter-Barcelona ka qenë ndoshta mashtrimi më i madh në historinë e fundit të Interit: ajo skuadër dukej si “e paprekshme”, e aftë të përmbyste fatin jo vetëm në Champions, por edhe në kampionat.

LAMTUMIRË TITULLIT

Fitorja ndaj Torinos më 11 maj dhe barazimi i Napolit me Genoan në “Maradona” ngushtuan distancën në krye dhe e shtynë vendimin për titullin te parafunditja. Një javë më pas, skuadra e Contes nuk fitoi në fushën e Parmës së Chivus dhe ia la titullin në dorë Interit. Mjaftonte një fitore ndaj një Lacioje aspak të pathyeshme. Madje, mjaftonte vetëm menaxhimi i avantazhit ndaj bardhekaltërve – që u arrit vetëm 10 minuta para fundit – për t’u paraqitur në javën e fundit në Como me 3⁄4 e titullit të siguruar. Dhe pastaj… prekje me dorë e Bisseck, penallti e Pedro në minutën e 90-të, lamtumirë titullit. Jo mënyra ideale për t’u paraqitur në finalen e Champions-it ndaj PSG-së.

KATASTROFA E PLOTË

Në shtëpinë zikaltër, edhe sot – më shumë se një muaj më pas – askush nuk arrin ta shpjegojë atë mbrëmje në Mynih. Qasje katastrofike, ndeshja më e keqe e sezonit, frikë, fytyra të stepura dhe asgjë më shumë. Humbja 5-0 nuk ka koment. Dukej si fundi i një tragjedie. Por jo – situata u përkeqësua më tej: dyshimet e Inzaghit, largimi i tij për t’iu bashkuar Al-Hilal (me të cilën ai po, do të luajë çerekfinalet e Botërorit për Klube), polemikat, akuzat, përpjekjet për të rrëmbyer Fabregasin nga Como, refuzimi i tij dhe emërimi në fund i Chivus. I cili, megjithatë, nuk ka arritur (ende?) ta kthejë rënien e bujshme në një ngjitje të ngadaltë.

RRËNIMI FINAL

Me vështirësi ndeshja hapëse e Botërorit kundër Monterrey, turneu përfundoi keq pavarësisht fitores ndaj Urawa Red Diamonds. Rikuperimi i mirë ndaj River Plate dukej se i kishte dhënë pak frymëmarrje Interit dhe sidomos një pjesë të favorshme të shortit: Fluminense në të tetat, më pas mundësi për çerekfinale kundër Al-Hilal ose Manchester City, ndërsa PSG, Real Madrid, Bayern dhe Borussia Dortmund ishin në krahun tjetër të tabelës. Mirë, apo jo? Jo. Kundër Fluminenses – eliminim befasues, më pas deklaratat e forta të Lautaros dhe Marottës ndaj mungesës së Calhanoglus, përgjigjja e turkut dhe një grup i përçarë. Të gjitha këto – në vetëm 55 ditë. Nga 6 maji në 30 qershor. Nga yjet me Barcelonën te flakët e pas-Fluminenses. Dhe kush e di cilat do të jenë episodet e ardhshme të një “seriali thriller” që rrezikon të kthehet në tragjedi.

Top Channel