
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se janë shumë potenciale për t’u shfrytëzuar, në mënyrë për të zhvilluar bujqësinë.
“Këtu janë disa prej drejtuesve vendorë mesa shoh dhe shpresoj shumë që nga kjo bisedë e sotme të çelim një kapitull të ri bashkëpunimi dhe ndërveprimi me territoret në të cilat zhvillohet jeta e përditshme e fshatit. Nuk është vetëm linja e re e kredisë që ka nevojë të shfrytëzohet maksimalisht, por edhe paketa e maleve, që është një instrument i ri që i është vënë në dispozicion turizmit rural.
Kemi potenciale të jashtëzakonshme akoma të pashfrytëzuara. Kemi realitet të jashtëzakonshme në fshat. Kemi protagonistë që jo vetëm kanë ndërtuar një sipërmarrje të suksesshme, por kanë një bagazh të jashtëzakonshëm dijesh. Këto dije janë pasur që duhen ndarë së bashku. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Ftesat janë bërë duke pasur parasysh edhe faktin që të kemi një numër protagonistësh të administrueshëm në një tryezë diskutimi. Ata që nuk e shohin veten këtu nuk duhet të ndihen të përjashtuar. Ky thjesht është një hap I parë për të ndërtuar një proces.
Është një nevojë e jona, një nevojë e madhe e jona. Kemi nevojë të madhe që të rrisim impaktin e institucioneve që në letër dhe në misionin e tyre kanë mbështetjen e bujqësisë, mbështetjen e zhvillimit rural, por që në realitet kanë dobësira të mëdha. Doja që këtu të jetë një diskutim i hapur. Nuk na bën asnjë punë që ju të flisni duke rrumbullakosur fjalët ose duke mos i thënë gjërat troç. Vetëm kështu na jepni ne mundësinë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë për ju. Nëse ne arrijmë të bëjmë më shumë e më mirë që ju të bëni më shumë e më mirë, bashkimi i të gjithë kontributeve e bën Shqipërinë që të ketë më shumë dhe të jetë më e mirë”, tha ndër të tjera Rama.
Top Channel