
Me urdhër të Apelit, Gjykata e Tiranës do ta rishqyrtojë vrasjen e Menduh Kurt Dedës, i cili tetë vjet më parë u rrëmbye, u dhunua barbarisht në një lagje të kryeqytetit e më pas u dogj me benzinë në zonën e Dajtit.
Ky vendim do të thotë se dënimi me nga 22 vite burgim për të pandehurit është zhbërë dhe provat do të rigjykohen.
Fati tragjik i 61-vjeçarit, për të cilin nuk dihej asgjë, u zbulua në vitin 2021 nga një kalimtar i rastit.
Pas hetimeve, rezulton se një nga tre bashkëpunëtorët është edhe ish-kolegia e viktimës, Luljeta Karaj, një 59-vjeçare që kishte krijuar bashkë me viktimën një shoqatë bamirësie për të ndihmuar fëmijët jetimë të ushtarakëve.
Gruaja e mohon krimin, por i arrestuari tjetër, Gazmend Ngota, rrëfen të kundërtën. Ai shprehet se viktima fshihej prej Luljetës për shkak të një borxhi. “Ne e pamë bashkë me Besmirin dhe ai i thirri në emër duke e marrë në makinë. Kur pyeti Luljetën se çfarë të bënim me të, ajo i tha: ‘Hiqeni qafe’.”
Për këtë çështje është gjykuar në mungesë edhe djali i të akuzuarës, i cili vazhdon të jetë në kërkim.
“Dëshmia e tij është e vetmja e dhënë. Ai nuk është i penduar”, tha avokati Fran Dashi.
Prokuroria shprehet se krimi makabër ndodhi për shkak të një borxhi prej 1 milion lekësh.
Por një tjetër dëshmitar, i identifikuar si Faik Stojna, e rëndon akoma më shumë pozitën e gruas, pasi ai ka pohuar se e kishte denoncuar për përndjekje 59-vjeçaren. Ndërkohë që për dyshimet e tij, përveç policisë, në atë kohë kishte njoftuar edhe miq të tij në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Top Channel