Zgjedhjet e 11 Majit ishin kryefjalë e Sali Berishës edhe në ditën e dytë të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë.

Gjatë takimit me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të OSBE, Pia Kuma, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella, kryedemokrati tha se vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira në Shqipëri, ndërsa ngriti dhe shqetësimin e shpopullimit.

“Shqipëria ka pasur zhvillimet më dramatike në periudhën 2014–2024. Gjatë kësaj kohe, kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë, apo në konflikte civile rajonale ose botërore. 45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve. Sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të zones Shengen”.

Për Sali Berishën, shpopullimi i vendit ka vetëm një faktor.

“OKB njoftoi disa muaj më parë se Shqipëria është vendi me rënien më të madhe të lindshmërisë në botë, për shkak të emigracionit. Shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh. Pse një goditje kaq shkatërruese demografike? Arsyeja kryesore është: narkodiktatura”.

Gjatë fjalës së tij në Asamble, Berisha renditi disa arsye, që sipas tij, e çuan në humbjen e 11 Majit, ndërsa drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama, duke thënë keqpërdori në mënyrë masive burimet publike.

Top Channel