Shkupi pret Samitin BE–Ballkani Perëndimor/ Marta Kos vlerëson ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian

01/07/2025 21:40

Në Shkup po zhvillohet një nga ngjarjet më të rëndësishme politike të rajonit: Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në zbatimin dhe avancimin e Planit për Rritje.

Nën mikpritjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, samiti ka mbledhur krerë shtetesh, ministra, zyrtarë të lartë të BE-së, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.

Samiti përfshin dy panele kryesore: i pari i dedikuar progresit të Planit për Rritje dhe i dyti për mekanizmat konkretë të mbështetjes dhe implementimit të tij. Kryeministri Mickoski dhe Komisionarja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, mbajtën fjalimet kryesore, të pasuara nga një konferencë për shtyp.

Komisionerja Kos vlerësoi veçanërisht ecurinë e Shqipërisë, duke theksuar se në vetëm gjashtë muaj janë hapur tre kapituj negociues dhe se është realiste hapja e të gjitha kapitujve brenda këtij viti.

“Faleminderit që kontribuoni në suksesin e procesit të zgjerimit,” u shpreh ajo, duke shtuar se mezi pret të festojë hapjen e kapitullit të fundit në vjeshtë.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se “kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore” dhe theksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet në bashkëpunim me Komisionin Evropian. “Jemi shumë afër. Dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, shtoi ai.

Përtej seancave zyrtare, Rama pati edhe një ndalesë simbolike në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku u shoqërua nga zyrtarë të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë nënkryetarin e BDI-së, Bujar Osmani dhe kryetarin e ASH-së, Arben Taravari. Gjatë kësaj vizite informale, Rama pati një drekë të përbashkët në një lokal tradicional dhe një shëtitje nëpër rrugicat historike të Çarshisë, ku u përshëndet me përzemërsi nga qytetarët. Çarshia e Vjetër, si një simbol i trashëgimisë kulturore shqiptare në Shkup, u kthye për disa çaste në një skenë të rrallë të bashkëpunimit politik dhe të identitetit të përbashkët.

Takimet e shumta bilaterale kulmuan mbrëmjen e djeshme me një takim mes Kryeministrit Rama dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Kjo prani dhe angazhim aktiv i liderëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut rikonfirmon peshën e dimensionit shqiptar në proceset integruese dhe zhvillimore të rajonit.

Samiti i Shkupit mbetet një moment kyç për të vlerësuar jo vetëm progresin teknik të vendeve të Ballkanit në rrugën drejt BE-së, por edhe bashkëpunimin ndërshqiptar si faktor stabiliteti dhe zhvillimi për të ardhmen evropiane të rajonit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel