
Gjatë qëndrimit në Shkup, ku po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Në takimin me Ramën, politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut theksoi rëndësinë e integrimit në bllok të rajonit.
“Takim vëllazëror në Shkup me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në kuadër të Konferencës për Bashkimin Europian. Në një kohë kur Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, e ritheksuam se edhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces”.
Teksa publikoi fotot e takimit, ku nuk mungoi shtrëngimi i duarve dhe përqafimi i përzemërt mes dy politikanëve, Ali Ahmeti zbuloi dhe tri temat që morën fokusin e diskutimit mes tyre.
“Diskutuam për kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit; Marrëdhëniet ndëretnike në vend; Rëndësinë e forcimit të raporteve shtetërore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë”.
Nën shoqërinë e dhjetëra qytetarëve, kryeministri Rama zhvilloi dhe një vizitë në Çarshinë e vjetër, në Shkup, i njohur si një ndër tregjet më të vjetra dhe më të mëdha në Ballkan.
Top Channel