
Polonia do të vendosë kontrolle të përkohshme kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë, mes tensioneve në rritje për shkak të migracionit të parregullt.
Kryeministri polak, Donald Tusk tha se vendimi, i marrë pas një takimi qeveritar me rojen kufitare polake të martën, vjen në përgjigje të presionit në rritje politik të brendshëm dhe protestave të mbështetura nga e djathta ekstreme në pikat kufitare të Polonisë me Gjermaninë gjatë fundjavës.
Në fjalimin e tij në fillim të mbledhjes javore të kabinetit, Tusk fajësoi Gjermaninë për këtë veprim, duke e akuzuar atë për një ndryshim politikash që rezultoi në “refuzimin efektiv të hyrjes të migrantëve që po shkojnë në Gjermani për të aplikuar për azil ose forma të tjera të statusit”.
“Mënyra se si kryhen operacionet në kufirin polako-gjerman ka ndryshuar qartë gjatë muajit të kaluar”, tha ai.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e bëri një politikë më të ashpër për migracionin një shtyllë të fushatës së tij zgjedhore në fillim të këtij viti. Pasi ai mori detyrën në maj, Gjermania stacionoi më shumë policë në kufi dhe tha se disa njerëz që përpiqeshin të hynin në vend do të ktheheshin mbrapsht.
Tusk argumentoi se ndryshimi i fundit i politikave kishte ushtruar presion të tepruar mbi Poloninë për të pranuar individë të cilëve u është refuzuar hyrja në kufirin gjerman.
“Pasi nuk ka kontrolle kufitare në anën polake, bëhet e vështirë të përcaktohet nëse ata që kthehen ose ridrejtohen në Poloni duhet të dërgohen atje”, tha ai.
Debati mbi migracionin në Poloni është bërë gjithnjë e më i nxehtë javët e fundit, me aktivistët e ekstremit të djathtë që kanë filluar të organizojnë patrullime përgjatë kufirit me Gjermaninë.
Masa për të futur kontrolle të përkohshme kufitare me Lituaninë u kuptua të lidhej me ndryshimin e politikës gjermane.
Top Channel