Lufta Rusi-Ukrinë, Kremlini: Kemi marrë kontrollin e plotë të rajonit të Luhanskut

01/07/2025 10:55

Rusia ka marrë kontrollin e plotë të rajonit të Luhanskut në Ukrainën lindore, më shumë se tre vjet pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mijëra trupa për të pushtuar Ukrainën në shkurt 2022, tha kreu i rajonit i emëruar nga Rusia për televizionin shtetëror rus.

Luhansku, me një sipërfaqe prej 26,700 kilometrash katrorë, është rajoni i parë ukrainas që vihet nën kontrollin e plotë të forcave ruse që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014.

Putin deklaroi në shtator 2022 se Luhansku së bashku me rajonet pjesërisht të kontrolluara nga Rusia të Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhias po inkorporohej në Rusi, një hap që shtetet europiane e kanë quajtur të paligjshëm dhe që nuk është njohur nga shumica e botës.

“Territori i Republikës Popullore të Luhanskut është çliruar plotësisht 100%”, tha Leonid Pasechnik, i cili ka lindur në Ukrainën Sovjetike dhe tani është zyrtari i emëruar nga Rusia si kreu i “Republikës Popullore të Luhanskut”,

Kievi thotë se aneksimi i Luhanskut dhe rajoneve të tjera të territorit ukrainas të njohur ndërkombëtarisht nga Rusia është i paligjshëm dhe është zotuar të mos e njohë kurrë sovranitetin rus mbi këto rajone.

Rusia thotë se territoret tani janë pjesë e territori saj, të mbuluara nga ombrella e saj bërthamore dhe nuk do të kthehen kurrë.

Luhansku dikur ishte pjesë e Perandorisë Ruse, por ndërroi duar pas Revolucionit Rus. U pushtua nga Ushtria e Kuqe në vitin 1920 dhe më pas u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik në vitin 1922 si pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës.

Së bashku me Donetskun fqinj, Luhansku u konsiderua si qendra e konfliktit që filloi në vitin 2014 pas përmbysjes së presidentit pro-rus të Ukrainës në kryengritjen e Maidanit dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, me forcat separatiste të mbështetura nga Rusia që luftonin forcat e armatosura ukrainase si në Luhansk ashtu edhe në Donetsk.

Rusia kontrollon gati 19% të asaj që tani njihet ndërkombëtarisht si territor i Ukrainës, përfshirë Luhanskun, plus mbi 70% të rajoneve të Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit, dhe pjesë të rajoneve të Kharkivit, Sumit dhe Dnipropetrovskut.

Top Channel