
Një lajm që ka tronditur fansat e sagës ikonike “Fast & Furious”: ekskluziviteti që nisi në vitin 2001 po i afrohet fundit të tij me filmin e njëmbëdhjetë, “Fast XI”, që do të mbërrijë në kinema në vitin 2027.
Pas më shumë se dy dekadash adrenalinë, gara dhe emocione, kapitulli përfundimtar do të sjellë një rikthim të papritur që ka shtangur publikun – personazhi i Brian O’Conner, i luajtur nga i ndjeri Paul Walker, do të rikthehet në ekran.
Lajmi u konfirmua nga vetë Vin Diesel gjatë eventit të fundit FuelFest në Los Angeles, ku aktori ndau detaje emocionuese për fundin e sagës. Ai zbuloi se kishte vendosur tre kushte kryesore për filmin përmbyllës: xhirimet të zhvilloheshin përsëri në Los Angeles, të kishte gara rrugore – dhe më e rëndësishmja, rikthimi i Brian O’Conner për një skenë ikonike me Dominic Toretto.
Paul Walker ndërroi jetë tragjikisht në një aksident me makinë në vitin 2013, gjatë xhirimeve të “Fast & Furious 7”. Vdekja e tij tronditi thellësisht industrinë e filmit dhe publikun anembanë botës. Por tani, falë teknologjisë së avancuar CGI dhe ndihmës së vëllait të tij Cody Walker – i cili tashmë e ka zëvendësuar pjesërisht në filmin e shtatë – personazhi i Brian do të marrë jetë për herë të fundit në “Fast XI”.
“Një nga momentet më të pritura në finalen e sagës do të jetë rikthimi i Brian me Domin”, deklaroi emocionuar Vin Diesel.
Në këtë kapitull përmbyllës do të rikthehen edhe shumë nga figurat e dashura të sagës, si The Rock, Jason Statham, Jason Momoa, Michelle Rodriguez, John Cena, Charlize Theron, Sung Kang, Tyrese Gibson, Ludacris, Gal Gadot dhe Nathalie Emmanuel.
Me këtë lajm të bujshëm, “Fast & Furious XI” pritet të jetë një përzierje shpërthyese emocionesh, veprimi dhe nostalgjie – një përshëndetje e denjë për një nga sagat më të dashura të kinemasë moderne.
Top Channel