Sezoni turistik, memorandum bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për policimin rrugor

30/06/2025 17:43

Në kuadër të sezonit turistik veror dhe fluksit të shtuar të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova, u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Shërbimet e përbashkëta do të kenë si objektiva: Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore; Menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin të dy shtetet; Shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e policimit rrugor.

Proda vlerësoi praninë e kolegëve nga Kosova si një ndihmë të çmuar dhe një simbol krenarie për harmoninë dhe koordinimin mes dy policive, jo vetëm në fushën e sigurisë rrugore, por edhe në luftën e përbashkët kundër krimit dhe paligjshmërisë.

Nga ana e tij, Hoxha u shpreh se efektivët e Policisë së Kosovës janë të nderuar për mundësinë që t’u shërbejnë qytetarëve krah kolegëve të Policisë shqiptare, dhe se do të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e objektivave të këtij memorandumi.

Shërbimet e përbashkëta nisin nga data 1 korrik 2025.

Top Channel