
Qeveria kanadeze njoftoi të dielën anulimin e një takse që synonte gjigantët e teknologjisë, me shpresën e arritjes së një marrëveshjeje më të gjerë me Shtetet e Bashkuara, dy ditë pas ndërprerjes së bisedimeve të njoftuara nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Saban, “njoftoi sot (red. dje të dielën) se Kanadaja po anulon Tatimin mbi Shërbimet Dixhitale (DST)”, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar nga shërbimet e tij. Teksti sqaron se qeveria kanadeze mori këtë vendim në funksion të rifillimit të bisedimeve për të përfunduar një marrëveshje dypalëshe tregtare me Shtetet e Bashkuara deri më 21 korrik.
Donald Trump njoftoi të premten se po i jepte fund negociatave tregtare me fqinjin verior të vendit të tij, duke thënë se taksa e vendosur nga Ottawa dhe që synonte gjigantët e teknologjisë ishte një “goditje e drejtpërdrejtë dhe e dukshme” kundër Uashingtonit. Ai sqaroi se bisedimet me Kanadanë do të ndaleshin në ditën kur ligji do të zbatohej (30 qershor).
TBT do të synonte gjigantët në botën e IT-së me një xhiro prej më shumë se 1.1 miliardë dollarë kanadezë dhe të ardhura vjetore në Kanada prej më shumë se 20 milionë dollarësh. Kjo kryesisht kishte të bënte me Google, Apple, Meta (Facebook, Instagram), Amazon dhe Microsoft. Këto kompani akuzohen se po shfrytëzojnë faktin se aktiviteti i tyre është i paprekshëm për të shmangur taksimin.
Top Channel