
Kievi e di shumë mirë se cilat kushte duhet të përmbushen për të ndaluar operacionet ushtarake në Ukrainë, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Siç u kujtoi gazetarëve, Peskov tha se presidenti rus, Vladimir Putin i kishte formuluar qartë këto kushte një vit më parë, gjatë fjalimit të tij para udhëheqjes së Ministrisë së Jashtme ruse.
“Operacioni special ushtarak vazhdon. Në Kiev, ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet bërë për të ndaluar operacionet ushtarake. Të gjitha këto kushte u formuluan nga presidenti një vit më parë, në fjalimin e tij para udhëheqjes së Ministrisë së Jashtme. Në Kiev, ata i dinë dhe i mbajnë mend këto deklarata të presidentit Putin”, tha Peskov.
Lidhur me mundësinë e një raundi të ri bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës, Peskov tha se pritet së shpejti qartësi mbi datën e mbajtjes së tyre.
“Ne presim që të ketë qartësi në të ardhmen e afërt”, u tha zëdhënësi i Kremlinit gazetarëve.
Kujtojmë se raundi i dytë i negociatave midis dy palëve u zhvillua më 2 qershor në Turqi. Takimi u zhvillua në Pallatin Ciragan në Stamboll dhe zgjati më shumë se një orë.
Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, pas bisedimeve tha se të dy vendet ranë dakord për një shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve, ndërsa u diskutua edhe zbatimi i një armëpushimi lokal për mbledhjen e trupave të të vdekurve të luftës.
Top Channel