Shtetet e Bashkuara duhet të përjashtojnë gjasat e cdo sulmi të ri ndaj Iranit, nëse dëshirojnë rinisjen sa më parë të bisedimeve diplomatike: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Majid Takht-Ravanchi i tregoi BBC-së se vend ii tij, kërkon praktikisht një garanci të rillë përpara se ti rikthehet tryezës së negociatave.

Sipas tij, administrata Trump ia ka bërë të qartë Republikës Islamike përmes ndërmjetësve se e dëshiron një hap të tillë. Por ata “nuk e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre” për “çështjen shumë të rëndësishme” që është vijimësia e sulmeve gjatë zhvillimit të bisedimeve, theksoi zyrtari i lartë Iranian.

SHBA-ja dhe Irani ishin të përfshirë në bisedime mbi programin bërthamor të regjimit të ajatollahëve kur Izraeli goditi centralet bërthamore dhe infrastrukturën ushtarake iraniane në fillim të këtij muaji, e Teherani u përgjigj me raketa.

Washingtoni u përfshi drejtpërdrejt në konflikt më 21 qershor kur bombardoi tre nga centralet bërthamore të Iranit. Operacioni ushtarak i Izraelit, i cili nisi mëngjesin e 13 qershorit, e dëmtoi raundin e gjashtë të bisedimeve jo direkte që duhet të mbaheshin në Muscat dy ditë më vonë.

Zëvendësministri iranian tha se vendi i tij do të “këmbëngulë” që të jetë në gjendje të pasurojë uraniuam për qëllime paqësore sipas tij, ndërsa i mohoi sërish akuzat se Teherani po lëvizte në mënyrë të fshehtë drejt prodhimit të një arme bërthamore.

“Niveli i kësaj përfshirjeje mund të diskutohet, kapaciteti mund të diskutohet. Por që të thuhet se ju nuk duhet të keni fare pasurim, duhet ta keni pasurimin zero se në të kundërt, ne ju bombardojmë – ky është ligj xhungle”, deklaroi zv/ministri i jashtëm Iranian.

Top Channel