
Artizanët e Pazarit të Gjirokastrës po përshtatin çdo ditë ofertën e tyre për vizitorët që vijnë nga e gjithë bota, duke ruajtur thelbin tradicional dhe duke u rikthyer te motivet e vjetra të qytetit, portat, sëndukët, odat dhe tavanet gjirokastritë
ndër zërat më të spikatur të këtij transformimi është mjeshtri i drugdhendjes, Anastas Petridhi.
“Kam 40 vite në këtë profesion. Fillimisht punoja për hobi, më pas si profesionist në ndërmarrjen artistike të Gjirokastrës. Më vonë emigrova për disa vite, por u ktheva, sepse siç thonë, “guri i rëndë në vend të vet”, shprehet Anastas Petridhi drugdhendës.
Sot, bashkë me familjen e tij, Anastasi drejton një dyqan të vogël artizanal në Pazar. Në vitet e fundit, ai thotë se interesimi për suvenire është rritur ndjeshëm, sidomos për ato që mbartin simbolet kombëtare: Skënderbeu, Ismail Qemali, shqiponja, harta e Shqipërisë apo pamje nga Gjirokastra e mbrojtur nga UNESCO.
“Në 15-20 vjet që punoj këtu kam patë që, shumë janë të interesuar edhe për procesin e punës. Madje më ka ndodhur që të kërkojnë të marrin pjesë vetë në krijimin e suvenirëve”, shton ai.
Drugdhendësi vëren se jo shumë të rinj i sheh në profesione të tilla por kjo sipas tij duhet inkurajuar.
“Vendosa ta trashëgoj këtë zanat dhe besoj se e kam arritur qëllimin. Artizanati dhe tradita mund të jenë një shpresë e mirë për të ardhmen e këtij vendi.”, thotë më tej ai.
Ndër risitë që ka sjellë puna e tij janë përdorimi i pirografisë për të personalizuar objektet me emra dhe data, si dhe krijimi i suvenireve më të vegjël, më të lehtë për t’u transportuar. Por sfidat nuk kanë munguar.
“Teknologjia ka ndryshuar gjithçka. Që dikush të blejë një produkt artizanal, duhet të përputhen edhe ekonomia, edhe kënaqësia”, përfundon ai.
Sot, në Pazarin e Gjirokastrës janë rreth 10 njësi artizanale me profile te ndryshme por ato konkurrohen seriozisht nga suvenire të importuara që shpesh imitojnë produktet lokale. Pavarësisht kësaj, mjeshtre si Anastas Petridhi vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e vërtetë të qytetit, të gdhendur me durim në dru.
Top Channel