50 mln dollarë për dashurinë! Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez përmbyllin dasmën me një festë luksoze

29/06/2025 13:17

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez kanë përmbyllur me një festë madhështore në Venecia dasmën e tyre tre-ditore, e cila mblodhi personalitete të njohur nga bota e biznesit, artit dhe politikës.

Ceremonia, e ndjekur nga evente të njëpasnjëshme luksoze, u mbajt në një nga qytetet më romantike të botës, por jo pa kundërshtime nga aktivistë dhe banorë vendas.

Festa përmbyllëse u zhvillua të shtunën mbrëma në Arsenale, një ish-kantier detar mesjetar në lagjen lindore të qytetit, ku morën pjesë rreth 250 të ftuar. Organizimi luksoz thuhet se ka kushtuar rreth 50 milionë dollarë.

Çifti mbërriti në festë me një stil më të thjeshtë se të ftuarit, Bezos i veshur me kostum të zi klasik dhe Sánchez me një fustan rozë të zbehtë. Ndërsa disa mysafirë zgjodhën të shfaqen me veshje të guximshme, madje edhe me pizhame, atmosfera u dominua nga stili, muzika dhe ndriçimi i sofistikuar venecian.

Martesa e tyre simbolike u zhvillua të premten në mbrëmje në ishullin San Giorgio, përballë Sheshit të Shën Markut. Ceremonia nuk kishte vlerë ligjore në Itali, çka sugjeron se martesa zyrtare është kryer më herët në SHBA.

Veshjet e çiftit tërhoqën gjithashtu vëmendje – Sánchez zgjodhi një fustan me jakë të lartë dhe vello me tyl e dantellë nga Dolce & Gabbana, i frymëzuar nga stili i Sophia Loren në filmin Houseboat të vitit 1958. Bezos, i katërti në listën e miliarderëve të Forbes, ishte veshur me një smoking elegant të zi.

Të pranishëm ishin figura të njohura si Bill Gates, Leonardo DiCaprio, Orlando Bloom, Tom Brady, Oprah Winfrey, Kim dhe Khloé Kardashian, si dhe përfaqësues nga familja mbretërore e Jordanisë.

Ndërkohë, dasma nuk kaloi pa zëra kundërshtues. Rreth 1,000 protestues marshuan në qytet, duke e parë ngjarjen si një shembull të pabarazisë sociale dhe arrogancës së të pasurve. Megjithatë, autoritetet lokale dhe bizneset veneciane e kanë konsideruar këtë si një nxitje të rëndësishme për ekonominë e qytetit. Vetë Bezos ka dhuruar rreth 3 milionë euro për institucionet kulturore veneciane – një gjest që, sipas bashkisë, u bë pa asnjë kusht.

Bezos dhe Sánchez u fejuan në vitin 2023, pas një lidhjeje që nisi katër vite më parë, pas divorcit të tij nga MacKenzie Scott.

Top Channel