Sot në Kosovë, qytetarët serbë festojnë festën e Vidovdanit.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për manifestim të qetë e pa provokime e ka hartuar një plan operativ.

“Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente“, kanë njoftuar nga policia.

Krahas kësaj ka bërë apel për shmangie të provokimeve.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet tutje derisa njoftojnë se do ketë edhe bllokime e orientime të mundshme e përkohshme të trafikut.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia, për të zhvendosur vëmendjen nga protestat në Beograd do të për nxitur incidente në Gazimestan.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu edhe kundër vlerave demokratike e evropiane“, ka thënë Kurti.

Serbët në 28 qershor festojnë Vidovdanin, atë qe e quajnë Beteja e Kosovës. Festa fillon me një meshë në Manastirin e Graçanicës, për tu zhvendosur në Gazimestan, pak kilometra larg Prishtinës.

Top Channel