Pushime me detyrim në Shqipëri, shumë shtetas izraelitë u bllokuan në vendin tonë pas nisjes së luftës në vendin e tyre

28/06/2025 15:19

Një fundjavë ndryshe për dhjetëra turistë izraelitë që prej disa javësh kanë mbetur në Shqipëri për shkak të luftës në vendin e tyre.

Kësaj here ata udhëtuan drejt brigjeve të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, falas nga një nismë solidariteti e mikpritjeje shqiptare.

Sonila Kosta: “Jemi në Sazan dhe Karaburun me një grup të madh turistësh nga Izraeli. Organizuam një festë shumë të bukur për ta këtu këtë fundjavë për t’u përcjellë një nga vlerat më të çmuara që kemi si shqiptarë ,mikpritjen. Ne përcjellim te ata zërin e paqes, dritën e shpresës për një botë sa më të qetë dhe të bashkuar”.

Mes turistëve ishte edhe Assaf Binder, sipërmarrës izraelit që prej 18 vitesh jeton e punon në Shqipëri.

Assaf Binder: “Jemi në Karaburun, ku kam punuar për më shumë se një dekadë. Sot kthehem sërish këtu me një grup turistësh nga Izraeli që për shkak të luftës mbetën në Shqipëri. Ishte një ditë e mrekullueshme për të gjithë. Janë të gjithë të kënaqur dhe presim që ky sezon turistik të sjellë një fluks të jashtëzakonshëm turistësh nga Izraeli”.

Vizita e në ishull u shty edhe nga kurioziteti se në Sazan do ndërtohet projekti i Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner.

“Nga tetë ditë që kishim planifikuar, për shkak të luftës në Izrael qëndruam 21 ditë në Shqipëri. Vizituam gjithë Shqipërinë, nga Jugu në Veri. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, që edhe vendasit ndoshta nuk e kanë zbuluar ende të plotë”.

“Vlora është një qytet fantastik. Kam gjashtë muaj që jetoj në Shqipëri, por kjo ishte hera e parë që bëra një udhëtim të tillë. Mikpritja shqiptare është e rrallë. Ky vend ka gjithçka, male, lumenj, det. Do t’u tregoj të gjithë miqve të mi izraelitë që të vijnë e ta përjetojnë këtë bukuri”.

Një udhëtim i shndërruar në mesazh shprese ku Shqipëria jo vetëm që mirëpriti, por tregoi se në kohë pasigurie, paqja, solidariteti dhe mikpritja janë pasuritë më të mëdha që një vend mund të ofrojë.

Top Channel