
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje që rryma legjendare e muzikës elektronike franceze, e njohur si French Touch, të shpallet trashëgimi kulturore jomateriale e UNESCO-s.
Në një intervistë për radion Fréquence Gaie, Macron e quajti këtë stil “një pasuri kombëtare që duhet të ruhet me krenari”.
Duke përmendur me humor himnin kombëtar francez, Macron deklaroi: “Allons enfant de la French Touch, le jour de gloire est arrivé!” – duke paralajmëruar një moment lavdie për skenën elektro-house që e bëri Francën një fuqi botërore në muzikën dance në vitet ’90 dhe 2000.
Çfarë është French Touch?
“French Touch” përfshin artistë si Daft Punk, Cassius, Dimitri From Paris, Air, SebastiAn, e shumë të tjerë që revolucionarizuan tingullin e elektronikës me elegancë pariziene dhe ndikim global. Këta artistë ndikuan në valixhet e çdo DJ-i në dekadat e fundit dhe sollën në skenë një identitet të dallueshëm, shpeshherë më melodik dhe artistik se teknoja e ftohtë e Berlinit.
Macron: “Nuk kemi pse marrim mësime nga Berlini!”
Presidenti francez kritikoi faktin që muzika elektronike e Berlinit ka marrë statusin UNESCO që në vitin 2023, ndërsa “preka franceze” ende jo.
“E dua Gjermaninë, jam pro-evropian. Por nuk duhet të marrim mësime nga askush. Ne shpikëm muzikën elektro!”, deklaroi Macron, me një ton të fortë dhe patriotik.
Një kërkesë me jehonë ndërkombëtare
Në të kaluarën, Macron ka lobuar me sukses që UNESCO të përfshijë muzikën gwoka të Guadeloupe dhe këngët maloya të La Réunion. Tani, ai synon që French Touch të vendoset në të njëjtin piedestal me reggae-n xhamajkane.
Emërtimi “French Touch” u shpik nga paparaci Jean-Claude Lagrèze për mbrëmjet në klubin Le Palace në Paris, duke i dhënë jetë një universi që përfshinte tingujt delikatë të Air, jazzin elektronik të St. Germain, por edhe sukseset komerciale të Bob Sinclar dhe David Guetta.
Top Channel