
Për fermerët e plantacioneve me nektarina në Frakull të Fierit, ky vit ka nisur mbarë.
Pas një sezoni të vështirë vitin e kaluar, ku prodhimi u detyruan ta lënë në arë për shkak të mungesës së tregut dhe krahut të punës, sivjet gjërat duket se kanë ndryshuar.
Besim Zgurati, 65 vjeç nga fshati Adebunac, është një nga fermerët që ka besuar për 9 vite te kultivimi i nektarinës. Ai ka mbjellë të gjithë sipërfaqen e tokës që disponon rreth 13.5 dynymë me këtë kulturë.
“Kam 13 dynym e gjysmë me pemtari nektarine. Vjet ishte një vit shumë i keq, prodhimi nuk u shit dhe u detyrova të pres disa prej pemëve. Ishin mbi 10 milion lekë humbje. Por sivjet jemi shumë më mirë. Kam shitur dorën e parë me mbi 30 kv dhe me çmim të mirë mbi 100 lekë për kilogram, dhe deri në fund të sezonit prodhimi mundë të shkojë mbi 370 kv”, shprehet fermeri
Nektarinat janë në vitin e nëntë të prodhimit dhe tregtohen si në tregun vendas, ashtu edhe në atë të huaj. Fermerët shpresojnë që çmimi të qëndrojë i qëndrueshëm deri në fund të sezonit.
Por pavarësisht këtij fillimi të mbarë, ata kërkojnë ndihmë nga shteti me subvencione direkte dhe me ndërhyrje ne pikat e grumbullimit, që prodhimi të mos mbetet pa treg dhe çmimet të mos përcaktohen në mënyrë arbitrare.
Top Channel