Koreja e Veriut hap “dyert” për 20 mijë vizitorë, Kim Jong Un inauguron resortin luksoz në mes të krizës humanitare në vend

28/06/2025 10:51

Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un ka përuruar personalisht një resort luksoz bregdetar në qytetin Kalma, në atë që mediat shtetërore e quajnë një “qytet turistik të nivelit të thesarit kombëtar”, pavarësisht krizës së thellë humanitare që përshkruan jetën e përditshme të miliona qytetarëve në vend.

Resorti i ri, pjesë e Zonës Turistike Bregdetare Wonsan-Kalma, përmban hotele shumëkatëshe, parqe ujore dhe akomodim për mbi 20,000 vizitorë. Sipas agjencisë shtetërore KCNA, objekti do të hapet për qytetarët koreano-veriorë më 1 korrik, ndërsa akses për të huajt mbetet i paqartë.

Media shtetërore nënvizoi se resorti ndodhet pranë një aeroporti ndërkombëtar dhe një stacioni të ri treni, çka sugjeron ambicie për turizëm ndërkombëtar, megjithëse për momentin pjesëmarrja e huaj është e kufizuar vetëm tek ambasadori rus dhe stafi i tij – një tjetër shenjë e lidhjes gjithnjë e më të ngushtë midis Phenianit dhe Moskës.

Ndërkohë, kritikët ndërkombëtarë shohin një kontrast të fortë mes shkëlqimit të resortit dhe realitetit të vështirë në pjesën tjetër të vendit. “Koreja e Veriut është një mjedis klaustrofobik ku jeta është një luftë e përditshme pa shpresë”, deklaroi më herët shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Ekspertët thonë se Kalma është menduar kryesisht për elitën politike të Phenianit, por mund të shërbejë si provë për një përpjekje më të gjerë të regjimit për të ringjallur turizmin ndërkombëtar – veçanërisht për tërheqjen e valutës së huaj në një kohë kur sanksionet ndërkombëtare po godasin rëndë ekonominë e izoluar të vendit.

Turistët rusë, të parët në listë

Agjencia turistike ruse Vostok Intur ka njoftuar tre paketa pushimesh në Kalma, me çmime rreth 1,840 dollarë për person. Turi i parë do të nisë më 7 korrik dhe përfshin fluturime nga Pheniani, katër netë në resort dhe vizita në vendpushimin e skive Masikryong.

Një projekt simbolik për trashëgiminë e Kim-it

Në përurimin e resortit morën pjesë edhe bashkëshortja e Kim Jong Un, Ri Sol Ju, dhe vajza e tij, Kim Ju Ae – një prani që analistët e lexojnë si sinjal të vazhdimësisë së dinastisë dhe mbështetjes për projektin si pjesë e trashëgimisë së udhëheqësit.

Resorti i Kalmës është projektuar që në vitin 2013 si pjesë e transformimit të Wonsanit në një qendër të kohës së lirë dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, projekti është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe sanksioneve ndërkombëtare.

Skepticizëm për suksesin afatgjatë

Ekspertët janë të ndarë mbi perspektivat e këtij projekti. “Wonsan-Kalma vështirë se është një destinacion i nxehtë turistik, dhe kontrolli i rreptë i regjimit e bën të vështirë suksesin afatgjatë”, tha Dr. Edward Howell, ekspert i Koresë së Veriut në Universitetin e Oksfordit.

“Resorti është më shumë një instrument propagandistik sesa një mundësi reale ekonomike – por për Kim-in, është një demonstrim i kontrollit dhe luksit që ai synon të shpërfaqë brenda dhe jashtë vendit”, përfundon analiza.

Top Channel