Festa serbe e Vidovdanit, policia e Kosovës ndalon serbët me simbole shoviniste dhe urrejtje nacionale

28/06/2025 20:15

Serbët në Kosovë të shtunën kremtuan festën e Vidovdanit.

Nga mesha që u mbajt në Manastirin e Graçanicës, qytetarët serbë e vazhduan shënimin e betejës se Kosovës pranë monumentit të Gazimestanit.

Sikur edhe përgjatë rrugës, Në hyrje të kompleksit ishin të vendosur policia e Kosovës, në kuadër të planit operativ për mbarëvajtjen e rendit.

Të gjithë qytetarët serbë që hynin brenda rrethojave të monumentit kontrolloheshin nga zyrtarët nëse të njëjtët kanë me vete flamuj apo bluza me mbishkrime provokuese e ata që kishin, ktheheshin prapa.

Megjithatë, thirrjet nacionaliste “Kosova është Serbi” e “Kosova zemra e Serbisë”, e përcollën kremtimin në Gazimestan.

Krahas këtyre thirrjeve e këngëve po ashtu me përmbajtje nacionaliste, në Gazimestan u shpalosën edhe flamuj me mbishkrime që konsiderohen provokim e në kundërshtim me ligjin.

Policia e Kosovës njoftoi se ka kryer shoqërimin e 17 personave në stacion policor për intervistim, të cilët kanë provokuar masën, kanë kryer nxitje urrejtje dhe posedonin veshje me përmbajtje provokuese e nxitëse, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Autoritetet njoftuan se një të dyshuari i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin për armëmbajtje pa leje, një tjetri i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, 4 të tjerë janë liruar, kurse 11 të tjerë janë në procedurë të intervistimit.

Lista Serbe dënoi këto ndalime nga policia e Kosovës.

“Sot, Policia e Kosovës ndaloi më shumë se 15 serbë, vetëm sepse mbanin flamurin serb ose kishin simbole historike në rrobat e tyre. Midis të ndaluarve ka të rinj që festuan festën e kombit të tyre në mënyrë paqësore dhe me dinjitet”, është thënë në deklaratën e kësaj partie.

Masat e shtuara të sigurisë këtë të shtunë erdhën pasi kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti një ditë më parë ngriti alarmin duke thënë se institucionet e sigurisë kanë informacione që Serbia do krijojë incidente në ditën e Vidovdanit.

Serbët në Kosovë shënojnë Vidovdanin në kujtim të betejës mes serbëve e turqve 636 vjet më parë.

Top Channel