Zjarret në vend/ 18 vatra gjatë 24 orëve të fundit, digjen rreth 35.9 ha sipërfaqe

27/06/2025 12:15

Përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra zjarri në 12 bashki: Vlorë, Sarandë, Ksamil, Delvinë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Elbasan.

Të gjitha vatrat janë arritur të shuhen dhe nuk ka dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë. Megjithatë zjarret kanë djegur rreth 35.9 ha sipërfaqe, kryesisht me shkurre dhe barishte.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 266 forca operacionale, 35 automjete zjarrfikësese dhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura

Në kuadër të përballimit të situatës së zjarreve në jug të vendit, Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin ajror me dronë, duke garantuar vëzhgim të pandërprerë ditën dhe natën mbi zonat më të rrezikuara nga flakët.

I gjithë mekanizimi i Mbrojtes Civile në nivel vendor dhe qendror mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të situatës.

Gjithashtu, mengjesin e sotëm u raportuan dy lëkundje tërmeti: e para me magnitudë 3.9 të shkallës rihter, me thellësi 15 KM dhe epiqendër në Fushë Krujë, Durrës dhe e dyta me magnitudë 3.8, thellësi 15 KM, me epiqendër në Zall Herr, Tiranë. Nuk ka dëme në njerëz apo ndërtesa.

Për ditën e sotme, bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave parashikohen reshje shiu lokalisht të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë.

Ndërsa sa i përket zjarreve pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarkun Fier, nivel rreziku “I MODERUAR” në qarqet e tjerë.

Ftojmë qytetarët të jenë të kujdesshëm në këto ditë me temperatura të larta dhe të raportojnë në kohë reale pranë institucioneve vendore.

Top Channel