‘Sulm i hapur ndaj vendit tonë’, Trump ndërpret negociatat me Kanadanë dhe paralajmëron tarifa të reja

27/06/2025 20:09

Presidenti Donald Trump ndërpret bisedimet tregtare me Kanadanë dhe së shpejti do të njoftojë një normë të re tarifore që vendi do të duhet të paguajë, tha ai në një postim në Truth Social të premten.

Vendimi për t’i dhënë fund negociatave, të cilat kanë vazhduar prej disa muajsh, erdhi pasi Kanadaja njoftoi një taksë mbi shërbimet dixhitale, tha Trump, duke e quajtur atë “një sulm të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj vendit tonë”.

Postimi i Trump në Truth Social

“Bazuar në këtë taksë të shëmtuar, ne po i ndërpresim TË GJITHA diskutimet mbi Tregtinë me Kanadanë, me efekt të menjëhershëm. Ne do ta njoftojmë Kanadanë për Tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda periudhës së ardhshme shtatë ditore”, tha ai.

Taksat mbi shërbimet dixhitale janë një mënyrë që vendet të taksohen ne shërbimet online, në kontrast me taksat mbi produktet fizike. Vendet me këto taksa mund të mbledhin të ardhura nga kompanitë e mëdha që operojnë online – edhe nëse biznesi është jofitimprurës. Firmat amerikane, veçanërisht kompanitë e mëdha të teknologjisë si Meta, Apple, Google, Amazon dhe Microsoft, preken në mënyrë disproporcionale nga DST-të, sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga Shërbimi i Kërkimeve Kongresionale jopartiake.

Trump ka ngritur shqetësime të veçanta me DST-të gjatë gjithë negociatave tregtare me vendet e tjera, duke i referuar ato zakonisht si “barriera tregtare jo-tarifore”. Kanadaja ka një DST të re që do të hyjë në fuqi të hënën dhe do të jetë retroaktive.

Top Channel