
Irani thotë se mundësia e negociatave me SHBA mbi programin bërthamor të vendit të tij është “komplikuar” nga sulmi amerikan në tre nga vendet, të cilin ai pranoi se shkaktoi “dëme serioze”.
SHBA-të ishin një nga palët në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, në të cilën Irani ra dakord të kufizonte programin e tij të pasurimit të uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe përfitimeve të tjera, raporton AP.
Kjo marrëveshje u prish pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi SHBA-në në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të tij të parë. Trump ka lënë të kuptohet se është i interesuar për bisedime të reja me Iranin dhe tha se të dy palët do të takohen javën e ardhshme.
Në një intervistë në televizionin shtetëror iranian të transmetuar të enjten vonë, ministri i jashtëm Abbas Araghchi la të hapur mundësinë që vendi i tij të hyjë përsëri në bisedime mbi programin e tij bërthamor, por deklaroi se kjo nuk do të ndodhë së shpejti.
“Nuk është arritur asnjë marrëveshje për rifillimin e negociatave. Nuk është caktuar asnjë kohë, nuk është bërë asnjë premtim dhe as nuk kemi folur për rifillimin e bisedimeve”, tha ministri i Jashtëm.
Vendimi amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht “e bëri më të komplikuar dhe më të vështirë” bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit, tha Araghchi.
Top Channel