
Izraeli mbylli kalimet në Gazën veriore të enjten, duke prerë rrugën më të drejtpërdrejtë për ndihmat që të arrinin qindra mijëra palestinezë në rrezik urie për shkak të kufizimeve izraelite për ushqimin që lejohej të hynte në territorin e shkatërruar.
Pasi bllokoi të gjitha ushqimet për dy muaj e gjysmë, Izraeli ka lejuar vetëm një sasi të vogël furnizimesh në Gaza që nga mesi i majit, shkruan The Guardian.
Mbyllja e pikës së kalimit Zikim, të cilën Izraeli e pretendoi se ishte e nevojshme për të ndaluar Hamasin të sekuestronte ndihmat, ishte “shumë problematike” dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në shpërndarjen e ndihmave.
Mbyllja e pikës së kalimit erdhi mes raportimeve për vrasjen e më shumë palestinezëve që prisnin ushqim nga forcat izraelite. Agjencia e mbrojtjes civile e Gazës tha se 56 persona ishin vrarë në sulmet izraelite të enjten, përfshirë 6 që po prisnin ushqim në dy vende të ndara.
Një sulm ajror izraelit dje goditi një rrugë në Gazën qendrore, ku dëshmitarët thanë se një turmë njerëzish po merrnin qese me miell nga një njësi policore palestineze që kishte konfiskuar mallrat nga bandat që plaçkitnin konvojet e ndihmave
Top Channel