
Kreu i CIA-s ka thënë se sulmet amerikane “dëmtuan rëndë” objektet bërthamore të Iranit dhe i kthyen ato vite prapa, duke ndryshuar kështu raportin e zbuluar të inteligjencës që zemëroi Presidentin Donald Trump duke minimizuar ndikimin e bastisjes.
John Ratcliffe, drejtori i agjencisë amerikane të spiunazhit, tha se vendet kryesore ishin shkatërruar, megjithëse nuk deklaroi se programi bërthamor i Iranit është eliminuar plotësisht.
Kjo vjen një ditë pasi një vlerësim paraprak i publikuar nga një agjenci inteligjence e Pentagonit tha se komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit mbetën të paprekur pas bombardimeve të SHBA-së.
Presidenti republikan shkroi në rrjetet sociale të mërkurën se mediat e “lajmeve të rreme” kishin “gënjyer dhe kishin keqinterpretuar plotësisht faktet, asnjërën prej të cilave nuk e kishin bërë”.
Ai tha se Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë do të mbajnë një konferencë shtypi “interesante dhe të pakundërshtueshme” të enjten në Pentagon “për të luftuar për Dinjitetin e Pilotëve tanë të Mëdhenj Amerikanë”.
Duke folur në Hagë, ku mori pjesë në samitin e NATO-s të mërkurën, Trump tha dr sulmet “ishin shumë të rënda dhe shkaktuan shkatërrim”.
Ai tha gjithashtu se ndoshta do të kërkonte një angazhim nga Irani për t’i dhënë fund ambicieve të tij bërthamore në bisedimet e javës së ardhshme. Irani nuk ka pranuar ndonjë negociatë të tillë.
Operacioni amerikan përfshinte 125 avionë ushtarakë, duke synuar tre objektet kryesore bërthamore iraniane të shtunën. Imazhet e reja satelitore tregojnë gjashtë kratere të grupuara rreth dy pikave të hyrjes në Fordo, me kratere të ngjashme të vërejtura në Isfahan, por është e paqartë nëse impiantet bërthamore të vendosura thellë nën tokë u shkatërruan, raporton BBC.
Top Channel