
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u përfshi në një debat në nisje të seancës plenare në lidhje me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Ai kundërshtoi maxhorancën e cila nuk pranon sipas tij kandidatin e opozitës, Besim Ndregjonin.
Berisha: Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej pothuajse një viti.
Dhe shtyhet dhe shtyhet sepse ju, ose kreu juaj Ramaduro siç po e quajnë tanimë në të gjitha kontinentet, nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyrë.
Por rregulli ka qenë që Avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidatëve që paraqet opozita, të impononi kandidaturën dhe jeni të gatshëm ta shtyni me vite vetëm e vetëm që një kandidaturë, e cila për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike.
Dje unë dhashë një intervistë dhe një gazetar i mirënjohur më pyeti a janë zgjuar demonët e sistemit të vjetër në Shqipëri me Ramaduron. Edhe ai fliste për Ramaduron.
Kjo që po bëni ju është dëshmi e zgjimit të atyre sepse ju keni hezitim të pranoni një kandidaturë nga shtresa e të persekutuarve politikë, ndonëse zoti Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret.
Prandaj sot hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë. Kjo është e papranueshme.
Ky është një institucion, pavarësisht se në narkoshtet të gjitha institucionet shumëzohen me zero, por për ne ky është një institucion që duhet të plotësohet me drejtuesin e tij.
Top Channel