
Ministri Taulant Balla u përfshi në një debat me kreun e PD, Sali Berisha këtë të enjte në seancën plenare.
Ai kundërshtoi kreun e opozitës, i cili u shpreh se i takon opozitës zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Balla theksoi se opozita duhet të mbajë përgjegjësinë se nuk ka dashur vetë të zgjedhë Avokatin e Popullit.
“Vetëm në një rast të vetëm që erdhi si pasojë e një marrëveshjeje politike më 17 maj 2017, opozita ka pasur ekskluzivitetin për një emër. Në rast se ju dëshironi të kthehemi në një marrëveshje si ajo e 17 majit 2017, patjetër që nuk ka ndonjë problem për ta diskutuar. Por në të gjitha rastet e tjera ka patur një proces. Dhe procesi është proces, modeli më i mirë ka qenë ai i vitit 2012, kur Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, në opozitë në atë kohë, hapi një proces të hapur ku konkurruan një numër i konsiderueshëm kandidatësh. Por edhe gjatë atij procesi, më vjen keq që këtu nuk është zoti Patozi apo drejtues të tjerë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe gjatë atij procesi ka pasur një konsultim me grupin e maxhorancës për të rënë dakord për emrin. Kështu që nuk mund të vini e të thoni ‘o ky, o ramë e vdiqëm’. Zoti Peleshi, në mënyrë të përsëritur, përpara tij edhe zoti Çuçi, dhe më parë unë si kryetar grupi, ju kemi thënë të ndërtojmë një proces.”
Balla nënvizoi se edhe këtë herë opozitës i është ofruar mundësia për të bashkëpunuar:
“Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në këtë legjislaturë nuk janë. Po ashtu, as në atë të mëparshmen. Prandaj, në këtë aspekt, është e kotë që ju të përdorni shembuj që nuk ekzistojnë, ndërkohë që i vetmi shembull real është ai i 17 majit 2017, kur ne, në seancën e datës 25 maj 2017, kemi votuar zonjën Balanca për një mandat. Mandati i saj, meqë jeni edhe keq me matematikën, ka përfunduar para tre vitesh, jo para një viti.
Ky proces ka pothuajse katër vite që po zgjat, sepse e kemi filluar që gjashtë muaj më herët, në janar 2022. Tani jemi thuajse në korrik 2025 pra, tre vite e gjysmë. Prandaj mos e kërkoni përgjegjësinë te grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por merrni përgjegjësinë që e keni shkaktuar vetë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni Avokatin e Popullit.”
Ai iu përgjigj pretendimeve të opozitës se kandidatura e Besim Ndregjonit nuk po votohet për shkak se është propozuar nga ata.
Top Channel