
Mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, e ka miratuar të enjten vendimin e Parlamentit për ta pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), pasi objektet bërthamore të vendit u bombarduan gjatë fundjavës në konfliktin 12-ditor me Izraelin.
Për këtë ligj, i cili u miratua një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër, do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC).
SNSC teknikisht drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.
“Plani për ta detyruar Qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës”, tha zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.
Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 24 qershor.
Më 21 qershor, SHBA-ja i goditi tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse garantohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit është e garantuar.
Ndër shënjestrat e Izraelit gjatë sulmeve ndaj Iranit ishin edhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka për qëllim ta përdorë atë për të zhvilluar armë bërthamore.
Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA do të thotë se Irani do t’i ndalojë inspektimet, raportimet dhe veprimtarinë mbikëqyrëse sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Para votimit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, e kritikoi IAEA-n, duke thënë se ajo dështoi “qoftë edhe të shtirej sikur e dënonte sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” dhe e akuzoi për “shitjen e besueshmërisë së vet ndërkombëtare”.
Teherani ka akuzuar prej kohësh IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka shprehur prej vitesh shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Irani në hetimet për objekte të vjetra, por të padeklaruara, bërthamore.
“Organizata për Energjinë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me agjencinë deri sa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf në komentet që u pasuan nga thirrjet e ligjvënësve “vdekje Amerikës dhe Izraelit”./ REL
Top Channel