
Mesfushori i talentuar i Club Brugge, Ardon Jashari, është kthyer në një nga emrat më të nxehtë të merkatos këtë verë, me disa nga klubet më të mëdha të Evropës që janë vënë pas tij.
Manchester United ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e 22-vjeçarit, i cili ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij mbresëlënëse në Belgjikë dhe me kombëtaren e Zvicrës. Djajtë e Kuq po kërkojnë të forcojnë repartin e mesfushës dhe Jashari shihet si një opsion premtues për të ardhmen.
Ndërkohë, AC Milan ka ndërmarrë një hap më konkret duke dorëzuar një ofertë zyrtare prej 30 milionë eurosh (25.6 milionë paund), duke treguar vendosmërinë për ta sjellë shqiptarin nga Zvicra në “San Siro”.
Interes për Jasharin kanë shfaqur edhe dy klube të Premier League, Fulham dhe West Ham, të cilat e kanë vendosur atë në krye të listës së dëshirave. Megjithatë, lëvizjet e tyre janë refuzuar deri më tani nga Club Brugge.
Manchester City, po ashtu, ka qenë në garë për Jasharin, por në fund ka zgjedhur të investojë 46.3 milionë paund për mesfushorin e Milanit, Tijjani Reijnders, duke u tërhequr nga gara për 22-vjeçarin.
E ardhmja e Ardon Jasharit mbetet e hapur, por një transferim i madh gjatë kësaj vere duket gjithnjë e më i mundshëm.
Top Channel