
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të lejë në fuqi masën “arrest në burg” për ish presidentin Ilir Meta.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani renditi për gazetarët pas gjyqit arsyet se përse kreu i PL po mbahet në burg padrejtësisht.
Në lidhje me dyshimet e SPAK se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur një kartë bankare për blerje e shpenzime jashtë vendit të dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se Meta nuk ka qenë në dijeni të asnjë shpenzimi të Kryemadhit me kartën.
“Parashtruam arsyet se përse zoti Meta nuk duhet të qëndrojë në kushtet e paraburgimit. Foli vetë edhe zoti Meta për rreth një orë, i cili hodhi dritë mbi pretendimet e organit të procedurës, qoftë për një kartë krediti që dispononte ish bashkëshortja e tij dhe disa veprime të tjera të lobimit që nuk pasqyrohen me emër dhe mbiemër se kush i ka firmosur. Pasi pati një debat me prokurorin Kllapi, në fund gjykata vendosi vijimin e masës së sigurimit.
Ne nuk është e se prisnim ndonjë ndryshim të masës, zoti Meta është i bindur se është në burg për arsye politike, një ish kryeministër, një ish president të qëndrojë në masa ekstreme siç është arresti me burg, ka kaluar çdo limit organi i procedurës, duke shkelur edhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në rastin Gëllçi kundër Shqipërisë.
Kartat janë përdorur të gjitha nga ish gruaja e zotit Meta, Meta nuk ka asnjë dijeni dhe nuk ka përdorur karta në jetën e tij dhe nuk ka asnjë lloj dijenie se çfarë ka ndodhur me zonjën Kryemadhi. Janë dy etnitete dhe secili mban përgjegjësi për veprimet e tij. Askush nuk e di të më japë një shpjegim juridik që të qëndrojë në masën ekstreme siç është arresti me burg”, tha avokati i Metës.
I arrestuar në tetor të vitit të kaluar, Meta ndodhet në qeli dhe kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të lehtë.
Top Channel