
Numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri ka arritur në 80 mijë – të paktën kjo është shifra zyrtare – por ekspertët thonë se shifra është më e lartë.
Shqetësuese është ulja e moshës së përdoruesve dhe abuzimi me drogat sintetike.
Në Ditën Botërore Kundër Drogës, shefi i shërbimit të toksikologjisë, Dr. Andrin Tahiri, thotë se gjatë verës rritet abuzimi me drogat: “Tani në verë bëhet edhe më e rrezikshme kombinimi i drogave me alkoolin. Unë kam përshtypjen që e përdorin për të ikur nga realiteti – një problem ekonomik, familjar, një stres i largon nga realiteti.”
Në shërbimin e toksikologjisë në QSUT, fundjavat kanë fluksin më të madh të personave që kanë përdorur substanca dhe kërkojnë ndihmë mjekësore, pasi problemet nisin që nga çrregullime të ritmit e deri tek arrestet kardiake.
Në Shqipëri ofrohet ndihmë për përdoruesit e drogës, por zinxhiri i trajtimit këputet në mes, pasi mungon një qendër rehabilitimi për ta.
“Nuk kemi qendër rehabilitimi shtetëror”, thotë dr. Andrin Tahiri.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës, shefi i shërbimit të toksikologjisë ka një mesazh: “Droga nuk është guxim, nuk është liri – ju vjedh jetën, ju shkatërron familjen.”
Top Channel