“Ç’punë kanë policët me bujqit që mbjellin shalqi dhe pjepër?!”, Braçe: Një ish pronar…

26/06/2025 13:55

Gjatë diskutimit për projektligjet për bimët dhe kafshët deputeti socialist Erion Braçe përmendi disa raste ku policia ka thirrur bujqit në komisariat.

Kjo lidhet me tokën ku ata kanë mbjellë shalqi dhe pjepër gjatë sezonit, hapësirë të cilën nuk e kanë zaptuar, thekson Braçe, i cili denoncon një ish pronar, i cili ka regjistruar tokën e shtetit në Kadastër.

Braçe: Nuk është ministri i Brendshëm këtu, ore kam një pyetje, ç’punë kanë policët të thërrasin bujq që merren me mbjellje shalqiri dhe pjepri, ç’punë kanë policët me këtë punë? Rasti është i freskët, 5 bujq, mes tyre dy gra, njëra 35 vjeç dhe tjetra 32 vjeç duhet të paraqiteshin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit se i kërkonte një OPGJ me emrin tim po Mjeshtër në mbiemër.

Ata mbjellin shalqi dhe pjepër në sezon në pjesën e lumit të Imshtë, ç’punë ka policia këtu. Atje është ngritur një shqetësim, mendoja se ishte zgjidhur, por tani pas zgjedhjeve është riaktivizuar, e ka marrë mbi kurriz Policia të merret me këtë gjë. Thuhet qartë që të gjitha burimet ujore janë në pronësi të shtetit. Toka që mbjellin ata buzë lumit është e parashikuar me këto nene.

Ua marrin bujqve, për ta bërë panele fotovolatike, për ça është kjo dhe ku hyn policia këtu, duhej të ishte angazhuar se si ka mundësi që organet e njohjes së pronës dhe zyrat e Kadastrës janë regjistruar tokë shteti në emër të një ish pronari që merr përsipër ta tregtojë si dorë e dytë. Në vend që të merren me tokën që i merret shtetit, shkojnë e merren me bujqit që mbjellin dhe e kanë mbrojtur se edhe atje mund të kishte ndodhur fenomeni i marrjes së tokës publike. Policia po bën punën e përmbaruesit.

Gjëja e parë që duhet të bëjmë para se të shkojmë tek bimët është mbrojtja e tokës dhe e punës së bujkut, pika e dytë janë ujërat, e si mund të ketë shëndet bimësh pa shëndet ujërash? Më pas janë plehrat kimikë që dëmtojnë tokën.

Top Channel