
Clark Olofsson, grabitësi që mbajti peng katër persona për gjashtë ditë në vitin 1973 në një bankë në Stokholm — një incident që i dha emrin termit “Sindroma e Stokholmit” — ka vdekur në moshën 78 vjeç, njoftoi familja e tij.
Burri, vdiq në një spital suedez pas një sëmundjeje të gjatë, tha familja për gazetën Dagens ETC.
Me dënime të shumta për grabitje të armatosur, tentativë vrasjeje, trafik droge dhe sulm, ai kaloi më shumë se gjysmën e jetës së tij në burg. Ai njihet më së miri për rolin e tij në grabitjen e Kreditbanken në qendër të Stokholmit më 23 gusht 1973.
Atë ditë, Janne Olsson sulmoi një bankë të armatosur me mitraloz dhe mori peng katër punonjës, ndërsa policia dhe snajperët rrethuan ndërtesën.
Nën ndikimin e drogës, Olsson kërkoi që bashkëpunëtori i tij Clark Olofsson — i cili ishte në burg në atë kohë dhe ishte dënuar për grabitje — të dërgohej në bankë. Qeveria suedeze pranoi kërkesën.
Janne Olsson u qetësua pothuajse menjëherë pas mbërritjes së Olofssonit dhe njëra nga pengjet, Kristin Enmark, e pa atë si një shpëtimtar.
“Ai më premtoi se asgjë nuk do të më ndodhte, dhe vendosa ta besoja”, shkroi ajo në librin e saj duke rrëfyer përvojën. “Unë u sëmura nga sindroma e Stokholmit. Isha 23 vjeçe dhe shumë e tmerruar.”
Gjatë marrjes së pengjeve — një nga ngjarjet e para që u transmetua drejtpërdrejt në televizion — Enmark foli dhe i mbrojti pengmarrësit e saj.
“I besoj plotësisht Clark-ut dhe grabitëses. Nuk kam frikë prej tyre fare. Nuk më bënë asgjë. Ishin shumë të sjellshëm”, tha ajo në një bisedë telefonike me kryeministrin e atëhershëm Olof Palme në ditën e dytë të robërisë. “A e dini nga çfarë kam frikë? Policia që hyn me forcë në bankë,” i tha ajo.
Pas gjashtë ditësh, policia ndërmori veprime, duke thyer çatinë e bankës dhe duke përdorur gaz lotsjellës. Dy kriminelët u dorëzuan dhe pengjet u liruan.
Si shenjë pakënaqësie me autoritetet, ish-pengjet zgjodhën të heshtin gjatë gjyqit të pengmarrësve të tyre.
Që atëherë, ekspertët kanë debatuar vlefshmërinë e “Sindromës së Stokholmit” si një çrregullim psikiatrik, me disa që e konsiderojnë atë më shumë si një mekanizëm mbrojtës ndaj një situate traumatike.
Top Channel