15 orë në ajër! Avioni që u kthye pas për shkak të krizës në Lindjen e Mesme

26/06/2025 20:43

Pasagjerët e një fluturimi të kompanisë ajrore australiane Qantas Airëays, me destinacion Parisin, kaluan mbi 15 orë në ajër, për t’u rikthyer më pas në Australi, aty ku edhe kishin nisur udhëtimin si pasojë e një sulmi me raketa nga Irani që mbylli pjesë të hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme.

Aeroplani Boeing 787, që ishte nisur nga qyteti i Perthit në Australi për një fluturim të zakonshëm 17-orësh drejt Parisit, u ngrit të hënën në orën 19:35 me orën lokale.

Kur arriti në kufijtë jugperëndimorë të hapësirës ajrore indiane, kompania u informua për sulmin me raketa dhe u detyrua ta kthejë fluturimin mbrapsht. Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt në Perth, rreth orës 11:00 të mëngjesit të së martës.

Një tjetër fluturim i Qantas nga Perth për në aeroportin Heathrow të Londrës gjithashtu u prek nga situata dhe u devijua drejt Singaporit, sipas një deklarate të kompanisë.

Kompania ajrore deklaroi se do të vazhdojë të monitorojë disponueshmërinë e hapësirës ajrore dhe do të përdorë itinerare alternative për fluturimet drejt Evropës, duke marrë parasysh kushtet e motit dhe situatën e sigurisë.

Fluturimet direkte të Qantas nga Perth drejt Evropës zakonisht kalojnë mbi Lindjen e Mesme, por shpesh herë detyrohen të ndjekin rrugë më të gjata për të shmangur kufizimet në hapësirën ajrore, ose të ndalojnë në Singapor për furnizim me karburant.

Top Channel