
Miratimi i rritjes së buxhetit për mbrojtjen nga të gjithë udhëheqësit e NATO-s pritet të detyrojë çdo shtet të shpenzojë në këtë drejtim rreth 5% të produktit të brendshëm bruto.
Edhe Shqipëria, si një vend anëtar, do të përballet në vijim me një rikalkulim të shpenzimeve për përballimin e një vendimi të tillë.
Rritja ekonomike e Shqipërisë, sipas INSTAT, deri në 2024 llogaritet në 25.7 miliardë euro. Teksa për të përmbushur objektivin e NATO-s prej 2%, vendi ynë duhet të shpenzonte afërsisht deri në 514 milionë euro në vit. Por me vendimin më të fundit prej 5%, Shqipëria pritet të shpenzojë mbi 1.3 miliardë euro.
Kjo shifër pritet të rëndojë buxhetin e shtetit, sipas ekspertëve të ekonomisë. Arben Malaj, ish-ministër i Financave, e konsideron të papërballueshme për buxhetin e vendit mbështetjen e një vendimi të tillë.
“Dy janë opsionet: e para, të rrisë duke rritur borxhin, dhe e dyta, të shkurtojë shpenzimet — mbështetjen për arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale? Janë shumë vende europiane që kanë borxhe të larta dhe janë përballë detyrimit të ulin borxhin. Nga do ta përballojë Shqipëria?”, thotë Malaj.
Një rritje në 5% e buxhetit për mbrojtjen do të linte pas shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që kanë nevojë për mbështetje. Në 2025, arsimit i është dedikuar një buxhet sa 2.36% e PBB, shëndetësisë 2.78%, ndërsa shpenzimet buxhetore për skemën e pensioneve sa 7.4% e PBB.
Unë do të vazhdoja argumentimin: mund të kemi paqe, por jo prosperitet. Nëse nuk përmirësohet cilësia e arsimit, mbrojtjes sociale — të gjitha kanë nevojë për para — atëherë paqja është e paqëndrueshme, sepse rritet agresiviteti social, politik, etj.”
Ky vendim nuk duhet të ishte një detyrim për shtetet, sipas ekspertëve, pasi cenon rregullat e NATO-s.
“Nuk mund ta denatyrosh NATO-n, që thuhet ‘NATO s’do mbrojë ata që s’kanë paguar lekët’. Nuk është në dokumentet kryesore të NATO-s që po s’paguaje kaq lekë, ti nuk mbrohesh. Sipas nenit nr. 5, çdo vend i NATO-s mbrohet në mënyrë të menjëhershme nga aleanca. Janë të nevojshme të ngrihen shpenzimet, por sa dhe a do ngrihen shpenzimet në raport me GDP-në? Jo, sepse ka shumë vende të BE-së, anëtare të NATO-s, që janë në borxhe — është rritur shumë deficiti buxhetor dhe borxhi publik.”
Aktualisht, buxheti për mbrojtjen është 52.7 miliardë lekë. Nëse Shqipëria akordon 5% të PBB për mbrojtjen, atëherë ky buxhet, duke filluar nga vitet në vijim, do të jetë rreth 2.6 herë më i madh.
Sipas ekspertëve, shtetet nuk duhet të përgatisin buxhete për luftë, por të mirëmenaxhojnë rreziqet e luftës.
Top Channel