
Në një takim informal me mediat në Casa Milan, drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, shpjegoi filozofinë e klubit për merkaton verore dhe planet e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
“Nuk është një revolucion, por disa pjesë funksionale do të shtohen për të krijuar një identitet loje,” u shpreh Tare.
Drejtori shtoi se përparësia kryesore është përforcimi i mesfushës, për të rritur cilësinë e lojës, ashtu si kërkon trajneri Massimiliano Allegri. Në lidhje me sulmuesin e ri, Tare theksoi se “Gimenezit i pëlqen të dalë nga zona, ndaj po kërkojmë një qendërsulmues klasik, si Olivier Giroud”. Ai sqaroi se nuk ka plane për një sulmues si Vlahovic apo Osimhen, të cilët nuk janë marrë kurrë në konsideratë.
Sa i përket mbrojtësve, Tare foli edhe për situatën e Theo Hernandez, duke thënë se: “Ai po kërkonte një përvojë të re”, ndërsa për portierin Mike Maignan, i cili ishte objektiv i Chelseat, u shpreh qartë: “Ai nuk po largohet, do të vazhdojë të veshë fanellën e Milanit”.
Klubi po kërkon të kompletojë pesë përforcime të tjera: dy mesfushorë (përveç Modricit), dy mbrojtës krahësh (një në secilin krah) dhe një qendërsulmues.
Megjithatë, numri i blerjeve mund të rritet në shtatë, nëse largohet ndonjë mbrojtës qendror dhe sulmues i jashtëm. Lidhur me largimin e Musah, Tare tha: “Po kërkojmë mesfushorë të ndryshëm, të përshtatshëm për një mesfushë me tre lojtarë”.
Milan duket se po ndjek një strategji të qartë për të ndërtuar një skuadër të balancuar dhe të fortë, në përputhje me kërkesat e trajnerit Allegri për sezonin e ardhshëm.
Top Channel