
Vendosja e armëpushimit më Iranin çliroi mendjet dhe zemrat e izraelitëve.
Në pamjet e siguruara nga korrespodenti i Top Channel, Artur Bibe, shihen plazhet e Tel Avivit, të cilat janë mbushur plot me njerëz që duan t’i rikthehen sa më parë normalitetit.
Ata shprehen për TCh se janë të lumtur që lufta përfundoi dhe bën thirrje për paqe.
Si është situata tani?
“Tani lufta mbaroi. Jemi shumë të lumtur! Siç e shihni po shkojmë në plazh. Shpresojmë që Trump të na shpëtojë”, shprehet një banor i Tel Avivit.
“Urojmë që të shohim dritën në fund. Të gjithë erdhëm në shtëpi sa më shpejt që ishte e mundur. Paqe, paqe për të gjithë”, tha një izraelite.
Izraeli e nisi befas ofensivën ajrore më 13 qershor, duke sulmuar centralet bërthamore të Iranit, që mohon me forcë se po bën përpjekje për ndërtimin e armëve bërthamore. Republika Islamike u kundërpërgjigj me breshëri raketash mbi objektet ushtarake dhe qytetet izraelite. Autoritetet iraniane thanë se 610 njerëz u vranë në vendin e tyre nga sulmet izraelite dhe 4.746 u plagosën. Bombardimet hakmarrëse nga Irani vranë 28 vetë në Izrael.
Top Channel