“Irani-Izraeli, dy fëmijë që zihen”/ Trump shpjegon si arriti armëpushimin mes dy vendeve, flet edhe për Kosovën

25/06/2025 19:50

Ashtu siç pritej, Donald Trump rrëmbeu të gjithë vëmendjen në samitin e NATO-s, në Hagë.

Presidenti amerikan pati një takim të veçantë me kreun e aleancës veri-atlantike, Mark Rutte, e ndonëse biseda u fokusua në çështje serioze, nuk munguan as batutat.

“Izraeli dhe Irani nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin. E kanë mbyllur. Ishte si një sherr mes dy fëmijëve në oborrin e shkollës. Luftojnë si të çmendur, nuk hyn dot mes tyre. Kështu që lëri më mirë të zihen për dy apo tre minuta, se pastaj, e ke më të lehtë t’i ndash”.

Dhe babai duhet të përdorë ndonjëherë një gjuhë të ashpër, ia ktheu me buzëqeshje Rutte, që është përpjekur shumë ta marrë me të mira presidentin amerikan. Trump e miratoi komentin e tij, ndërsa në koferencën pas Samitit u shpreh se zyrtarët amerikanë dhe iranianë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, për të vazhduar dialogun për armët bërthamore, që u ndërpre nga lufta mes dy vendeve të Lindjes së Mesme.

Gjatë konferencës me gazetarët, Presidenti Donald Trump tha se në javët e fundit ka qenë i përfshirë edhe në zgjidhjen e disa konflikteve të tjera, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

“Në javët e fundit kemi punuar me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Mendoj se të premten pritet të vijnë edhe përfaqësuesit e Kongos dhe Ruandës, pasi atje ka pasur një konflikt të ashpër”.

Top Channel