16 mijë euro për banesë/ Në korrik nis zbatimi i programit për strehimin social, dyfishohen përfituesit

25/06/2025 19:48

Të gjithë individët apo familjet që kanë aplikuar në programin e strehimit social mund të përfitojnë deri në 16 mijë euro secili.

Programi do të nisë zbatimin në muajin korrik dhe synon të përmirësojë kushtet e jetesës për shtresat më në nevojë.

Dardana Grabova, drejtor i programit të strehimit social pranë Ministrisë së Ekonomisë, shpjegoi për Top Channel se projekti parashikon ndërhyrje si në banesë, ashtu edhe në komunitet.

“Janë termat e referencës që miratohen me urdhër ministri. Masa që përfitojnë familjet varet nga sipërfaqja e banesës dhe kategoria sociale që i përkasin. Mbështetja varion nga 8 mijë deri në 16 mijë euro.

Punimet konsistojnë në përmirësim të çatisë, rikonstruksion, përmirësim të sistemeve hidrosanitare, efikasitet energjetik, fasada kapot dhe punime teknike ndërtimore, në varësi të problematikave të identifikuara në banesë”, u shpreh Grabova.

Sipas tij, të gjitha familjet mund të aplikojnë online përmes portalit e-Albania. Në krahasim me një vit më parë, kërkesa është dyfishuar.

“Për të përfituar nga programi, qytetari duhet të ketë një banesë me problematika. Aplikimi bëhet përmes e-Albania dhe të dhënat i gjeneron bashkia. Pasi mblidhen aplikimet, përgatitet një projekt i vetëm dhe, në momentin që hapen thirrjet, bashkia aplikon pranë ministrisë. Më pas shpallen përfituesit dhe fondet kalohen në bashki”, shpjegoi ai.

Për vitin 2025, janë 1,253 familje nga 35 bashki që kanë shprehur nevojën për këtë shërbim.

“Kemi pasur një rritje të konsiderueshme të aplikimeve, që tregon se numri i përfituesve është dyfishuar krahasuar me vitet e mëparshme”, shtoi Grabova.

Programi synon të mbështesë familjet në nevojë, nënat kryefamiljare, të moshuarit, të vetmuarit dhe emigrantët e rikthyer, të cilët përbëjnë kategoritë përfituese në kuadër të strehimit social.

Top Channel