
Për të tretën ditë rresht zjarrfikësit po vazhdojnë të luftojnë me zjarret që po djegin me intensitet shumë zona pyjore por edhe shtëpi banimi në ishullin grek të Kios në Egjeun Verior.
Në disa zona flakët kanë arritur deri në 30 metra ndërsa era e fuqishme prej 7 ballësh pengon përpjekjet e brigadave të zjarrfikësve që operojnë nga toka dhe ajri.
Ndërsa dje në mbrëmje autoritetet vendore kanë shpallur gjithë ishullin në gjendje të jashtëzakonshme deri në 22 korrik, nga mesnata deri në orën 7.30 të mëngjesit të së martës, janë dërguar tre mesazhe urgjente banorëve nëpërmjet numrit të emergjencës 112, me thirrje për t’u larguar nga fshatrat e Lithit dhe të Vessës.
444 zjarrfikës po operojnë në vendngjarje, ndërsa kanë mbërritur përforcime nga Athina, Selaniku, Kavala dhe Lesbos, me 21 ekipe komando pyjore, 85 automjete si dhe 30 vullnetarë -njësi alpinizmi- me 4 automjete.
Prej mëngjesit të sotëm operojnë nga ajri edhe 8 mjete ajrore (2 avionë dhe 6 helikopterë). Gjithashtu edhe një total prej 4 avionësh dhe 14 helikopterësh janë caktuar për shuarjen e zjarreve gjatë gjithë ditës, të cilat do të veprojnë periodikisht.
Sipas autoriteteve lokale, problemet e furnizimit me energji elektrike po rikthehen gradualisht, por në disa zona të tjera, situata është më e vështirë pasi janë djegur shtyllat dhe instalimet. Gjithashtu ka pasur dëme edhe në rrjetin e ujësjellësit.
Në këto tre ditë janë djegur mbi 62000 hektarë tokë pyjore, mes tyre edhe pemët që prodhojnë mastikën, ndërkohë që gjithë përpjekja e zjarrfikësve është që flakët të mos shkojnë në jug të ishullit ku ndodhen plantacionet kryesore të këtyre pemëve.
Në Kios, ka afërsisht 1,200,000 pemë mastike, kryesisht në 24 fshatra të jugut, në të cilat prodhohet mastika e famshme në sasi prej 180 tonësh në vit.
Zjarret po djegin të njëjtën zonë që u shkrumbua edhe në vitin 2012 kur u dogjën mbi 200.000 pemë që prodhojnë mastikën.
Top Channel