
Rinumërimi i votave në Tiranë ka zbuluar edhe trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë.
Por ajo që rezulton deri më tani nga rinumërimi është fakti që Alimehmeti në procesverbal rezulton të ketë 100 vota më shumë se çfarë kishte realisht në kuti. Ai rezulton me numrin më të madh të votave të padrejta nga lista e opozitës.
Në radhët e demokratëve, kandidatët me më shumë vota në procesverbal se në kuti janë Petrit Gjorgji me 44 vota, Myslym Murrizi me 40 vota, Kreshnik Çollaku me 43 vota dhe Ilir Metaj me 51 vota.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 74 vota më shumë në procesverbal, sesa në kuti.
Kandidatët demokratë më të “persekutuar” në numërimin e parë kanë qenë Arjan Hoxha me -12 vota, Salvador Kaçaj me -17 vota dhe Mimoza Hajdarmataj -13.
Sa i përket Partisë Socialiste, ministri Ervin Hoxha ka 257 vota më shumë, Xhemal Qefalia ka 128 vota më shumë, kandidatja për deputete Kejsi Elezi me 104, Fatmir Xhafaj rezultojnë me 127 vota më shumë në procesverbalë se sa kishin në kutinë e votimit dhe Erion Braçe me 76 vota plus.
Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes. Gjylameti rezulton me 5 plus, ndërsa Xhaçkës i janë shtuar 47.
Kandidatët e PS-së më të “persekutuar” nga numëruesit deri tani rezulton Etjen Xhafaj -35.
Top Channel