Publikimi i tezave në rrjetet sociale, reagon Ministria e Arsimit: Vepër e dënueshme, kemi ngritur sistem të posaçëm…

24/06/2025 16:39

 Njësoj në të katërt provimet e detyrueshme të maturës, praktika e fotografimit dhe publikimit të testeve online nuk mungoi përgjatë 30 minutave të para gjatë kohës që zhvilloheshin provimet në 145 qendra duke shkelur rregulloren e maturës.

Në përfundim duket se Ministria e arsimit ka zbuluar zinxhirin e fajtorëve për rrjedhjen e tezave në rrjete sociale, e njoftoi se ka përjashtuar nga provimi një maturant nga qarku i Durrësit si dhe ka vendosur hetimin për marrjen e masës administrative për përgjegjësin e provimit që ka lejuar përdorimin e telefonit në shkollë. Megjithëse përsërit se ky akt nuk cënon vlefshmërinë e integritetin e maturës.

Reagimi i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e saj nga Qendra e Shërbimeve Arsimire, Agjensia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar si dhe ekipet e administratorëve të provimeve dhe vlerësuesit e tyre janë angazhuar maksimalisht në proçesin e administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore, duke garantuar standardet më të larta në organizim, ruajtjen e konfidencialitetit të testeve dhe zhvillimin korrekt të procesit të testimit.
Në këtë kuadër, theksojmë se çdo akt i publikimit të testit pas përfundimit të provimit, megjithëse nuk cënon vlefshmërinë e tij, është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm. Dalja e testit në rrjete sociale përpara publikimit zyrtar përbën një shkelje serioze të etikës dhe rregullave të provimit, dhe ndaj këtij fenomeni Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar menjëherë.
Është ngritur një sistem i posaçëm monitorimi dhe identifikimi, i cili ka mundësuar zbulimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e testit pas nisjes së provimit. Konkretisht, është përjashtuar nga provimi një maturant, në një prej gjimnazeve të qarkut Durrës, i cili është evidentuar që kishte fotografuar testin me telefon. Sa më sipër janë ndjekur të gjitha hapat për marrjen e masave administrative për mos zbatim të rregullores të Maturës Shtetërore edhe ndaj përgjegjësit të administrimit të provimit në atë shkollë, i cili kishte për detyrë të garantonte ndalimin absolut të përdorimit të celularëve në ambientet e provimeve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të procesit të Maturës Shtetërore dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të parandaluar çdo akt që cënon këtë proces të rëndësishëm për arsimin dhe të ardhmen e të rinjve tanë.

Top Channel