Kosovë, rrezikohen qindra mln euro! Parlamenti ende i pandërtuar, problem serioz për marrëveshjet me financim nga jashtë

24/06/2025 12:15

Për më shumë se dy muaj, deputetët nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Kjo ka vënë në rrezik edhe marrëveshjet për financim nga jashtë, pasi për implementimin e tyre duhet ratifikim në parlament.

Janë rreth 130 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare vetëm me Bankën Botërore që kanë ngecur për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës.

Blend Hasaj – hulumtues, Instituti GAP: “Vetëm nga Banka Botërore janë tre projektligje që kanë ngecur e që njëra ka vlerën mbi 19 milionë euro, njëra për financimin në arsim mbi 21 milionë euro, ndërkaq një tjetër ka mbi 90 milionë euro”.

Pjesë e projektligjeve të paratifikuara është edhe një marrëveshje tjetër me Bankën Botërore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër në vlerë prej 33 milionë euro.

Për shkak të ngërçit për nisjen e punës së Kuvendit, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka përfituar financim nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian.

Blend Hasaj – hulumtues, Instituti GAP: “Të gjitha shtetet në rajon kanë përfituar nga parafinancimi që është në shkallën 7% dhe tani ka mbetur vetëm Kosova e cila nuk mund të përfitojë nga këto rreth 62 milionë euro që gjithashtu do ta ndihmonin në masë të madhe në kryerjen e disa reformave”.

Krahas një parlamenti jofunksional, Kosova ka edhe qeverinë në detyrë me kompetenca të kufizuara që po ashtu, ka lënë pezull 102 milionë euro nga dy marrëveshje me Bankën Botërore, për shkak që ekzekutivi në detyrë nuk mund të miratojë marrëveshje ndërkombëtare.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që nëse nuk miratohen me kohë marrëveshjet, ekziston rreziku për humbjen e tyre.

“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, ka shkruar Murati.

Të hënën, për të 36-tën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit nuk ka votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentaren.

Top Channel