Kina ndërhyn në krizën e Lindjes së Mesme: Armëpushim sa më shpejt, mbështetje për Iranin

24/06/2025 17:03

Kina ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Iranit për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare, duke theksuar rëndësinë e një armëpushimi të menjëhershëm dhe efektiv në Lindjen e Mesme.

Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga diplomacia kineze, Araghchi e informoi Wang për zhvillimet e fundit rajonale dhe për tensionet në rritje që po përfshijnë Lindjen e Mesme.

“Kina mbështet përpjekjet e Iranit për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tij dhe, mbi këtë bazë, për të arritur një armëpushim efektiv në mënyrë që t’i lejohet popullsisë të rifillojë jetën normale dhe të nxisë qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Wang Yi.

Qeveria kineze ka kërkuar vazhdimisht dialog dhe zgjidhje paqësore për konfliktet në rajon, duke i bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, ku tensionet mes Iranit dhe SHBA-së, si dhe konflikti në Gaza, kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin global.

Top Channel