
Në Australi po rritet shqetësimi për një parazit të rrezikshëm, i cili transmetohet nga kërmijtë te qentë dhe mund të shkaktojë dëme serioze neurologjike te kafshët, por edhe te njerëzit.
Ekspertët paralajmërojnë se ky parazit mund të përhapet edhe në Evropë, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Në zonat lindore të Australisë, veçanërisht mes Sidneit dhe Brisbejnit, janë rritur ndjeshëm rastet e infeksionit tek qentë. Sipas Universitetit të Sidneit, në pesë vitet e fundit janë raportuar të paktën 93 raste të konfirmuara, sidomos në vitin 2022, pas shirave të mëdha të shkaktuara nga fenomeni klimatik La Niña.
Edhe pse infeksionet janë përqendruar kryesisht në Australi, raste sporadike janë dokumentuar edhe në Spanjë dhe Francë. Në Itali dhe vende të tjera të Evropës, klima më e lagësht dhe përhapja e kërmijve të huaja si Arion vulgaris mund të krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e këtij paraziti. Ekspertët bëjnë thirrje për vëzhgim veterinar dhe fushata sensibilizuese.
Cikli jetësor i parazitit fillon te minjtë, të cilët janë pritësit kryesorë. Larvat e parazitit eliminohen me jashtëqitje dhe më pas përthithen nga kërmijtë. Qentë, por edhe njerëzit, mund të infektohen nëse konsumojnë ose vijnë në kontakt me këto kërmij (madje edhe përmes gjurmëve të mukusit që ato lënë mbi ushqim ose sipërfaqe të ndryshme).
Te qentë, simptomat shfaqen 1-2 javë pas infektimit dhe përfshijnë paralizë të gjymtyrëve të pasme, dhimbje në shpinë dhe mosmbajtje të urinës. Te njerëzit, infeksioni mund të shkaktojë dhimbje të forta koke, temperaturë, ngurtësi të qafës, të përziera dhe në raste të rënda meningjit eozinofilik. Rasti tragjik i Sam Ballard, një i ri që vdiq në Australi pasi hëngri një kërmill si pjesë e një sfide, është një shembull i rrezikut që ky parazit paraqet.
Shirat e dendura dhe ndryshimet klimatike favorizojnë përhapjen e kërmijve, duke rritur ndjeshëm rastet e infeksionit. Sipas studimeve, infeksionet tek qentë shtohen 2-10 muaj pas periudhave me reshje intensive.
Top Channel