“Jemi qenie njerëzore, jo robotë”/ Disfata e hidhur në Champions, mbrojtësi i Interit: Na dhemb akoma, mund të shkojmë sërish në finale

24/06/2025 11:38

Denzel Dumfries, një nga figurat më të rëndësishme të Interit në vitet e fundit, ka reflektuar mbi disfatën në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së dhe sfidat e reja që e presin ekipin zikaltër, në një intervistë për La Gazzetta dello Sport.

“Duhet të jesh i sinqertë, nuk mund të thuash se nuk ndodhi asgjë. E kemi përjetuar keq humbjen ndaj PSG-së, nuk ishte dita jonë dhe ata ishin më të mirë,” u shpreh anësori holandez. “Nuk jemi rikuperuar plotësisht mendërisht, por kjo është normale. Jemi qenie njerëzore, jo robotë.”

Pavarësisht zhgënjimit, Dumfries thekson se Interi është i vendosur të rifillojë me ambicie të reja: “Duhet ta pranojmë atë që ndodhi dhe të fillojmë nga e para. Të gjithë e dinë që mund të arrijmë sërish në finale, tani është momenti të tregojmë se mund edhe ta fitojmë. Ne mundemi dhe duam.”

Atmosfera në dhomat e zhveshjes mbetet pozitive, thotë ai: “Askush nuk do ta humbasë kurrë krenarinë e të luajturit për një nga klubet më të mëdha në botë. Motivimi për të nisur nga e para është më i fortë se zhgënjimi.”

Në intervistë, Dumfries foli edhe për largimin e trajnerit Simone Inzaghi, pas katër vitesh në krye të Interit: “Ishim shumë të afërt me të, si një familje. Ishte e vështirë ndarja, por jam i lumtur për të dhe për aventurën e tij të re. Edhe ne po ecim përpara të motivuar.”

Holandezi mohoi që thashethemet për transferimet në Arabinë Saudite të kenë ndikuar te skuadra përpara finales: “Në mendjen tonë ishte vetëm PSG. Sigurisht që lexuam dhe dëgjuam zëra, por nuk na larguan nga fokusi.”

Tani, Interi ka hyrë në një epokë të re me Cristian Chivu në krye: “Trajner i shkëlqyer me staf të përgatitur. Po marrim energji dhe ide të reja, është një frymë e re mendore që vjen prej tij. Mund të luajmë më lart, por jemi ende në fazën e përshtatjes pas katër vitesh me rezultate të mëdha.”

Në fund, Dumfries nuk la pa përmendur edhe një rivalitet të veçantë: atë me Theo Hernandez, që sipas zërave mund t’i bashkohet Inzaghit te Al Hilal: “Kemi pasur beteja të bukura në derbi – ndoshta do të ketë të tjera me kombëtaret. Një rivalitet i këndshëm. Të pimë diçka bashkë? Kur të kemi ndaluar të dy…”, përfundoi ai me të qeshur.

Top Channel