
Protestuesit në Venecia, të cilët kundërshtojnë dasmën e themeluesit të Amazon, miliarderit Jeff Bezos, dhe gazetares Lauren Sanchez, pretendojnë se kanë arritur fitore pasi planet për festimin e dasmës thuhet se janë zhvendosur si pasojë e kërcënimeve të tyre për bllokim të dasmës.
Grupi aktivist “No Space for Bezos” kishte paralajmëruar një bllokadë në kanalet përreth ndërtesës historike “Grande Scuola Misericordia” në qendër të Venecias, ku besohej se çifti do të organizonte një festë madhështore më 28 qershor.
Sipas tyre, festa tani është zhvendosur në një vend më pak piktoresk, në zonën detare të Arsenale-s, në skajin e jashtëm të qytetit.
“Fitore! Protesta i prishi planet Bezos-it,” shkruan grupi në rrjetet sociale. “U detyruan të ikin e të strehohen në Arsenale. Madje as jahtet e Bezos, Koru dhe Abeona, nuk do të mbërrijnë në Venecia.”
Detaje të sakta për dasmën e çiftit nuk janë bërë publike, por besohet se festimet do të zgjasin tre ditë, duke nisur më 26 qershor në Lido të Venecias, me ceremoninë martesore më 27 qershor në ishullin San Giorgio Maggiore dhe me festën përmbyllëse më 28 qershor – vendi i së cilës tashmë thuhet se është ndryshuar.
Përveç paralajmërimeve për bllokim të kanaleve, protestuesit kanë vendosur pankarta me emrin e Bezos me kryq mbi urën e famshme Rialto. Një protestë tjetër u zhvillua nga Greenpeace, e cila vendosi një banderolë gjigande me portretin e Bezos dhe mbishkrimin: “Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, mund të paguash më shumë taksa.”
Ndërkohë që disa venecianë janë shprehur pro dasmës, kundërshtimet janë shtuar. Prej vitesh, banorët e qytetit kanë protestuar kundër ndikimit të turizmit masiv dhe anijeve gjigante që, sipas tyre, po shkatërrojnë cilësinë e jetës në Venecia.
Top Channel