Hapet një gropë karstike në Belsh! Fenomeni i zakonshëm në Dumre, kërkohet ndërhyrje: Po rrezikon banesat

24/06/2025 15:27

Një gropë karstike rreth 10 metra e thellë dhe 1-2 metra e gjerë është shfaqur prej disa javësh pranë fshatit Dëshiran në Belsh.

Fenomeni natyror është i zakonshëm për zonën e Dumresë, e cila numëron mbi 84 liqene të krijuara si pasojë e fenomeneve karstike. Fenomeni ka ngjallur panik te banorët, të cilët ndihen të pasigurt, teksa dita-ditës gropa u afrohet banesave dhe kërkojnë ndërhyrje nga strukturat e emergjencave.

Në 360 km², zona e Dumresë është karstike si pasojë e shkrirjes së shkëmbinjve të gipsit dhe gëlqeres.

Specialistë të emergjencave civile në Bashkinë e Belshit kanë mbërritur në zonë gjatë kësaj fillimjave, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke marrë masa për mbushjen e gropës.

Në maj të vitit 2022, një gropë e ngjashme u hap pranë banesave në fshatin Çestije të Belshit. Në atë kohë u morën masa për mbushjen e gropës dhe prej atëherë nuk janë shfaqur më problematika.

Top Channel