Debat për buxhetin në Durrës, opozita: S’ka transparencë, nuk është përdorur 30% e buxhetit të vitit 2024

24/06/2025 12:20

Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak të Durrësit u shoqërua me debate mes opozitës dhe shumicës.

Opozita kundërshtoi mungesën e kryetares Emiriana Sako dhe reagoi ndaj futjes në moment të fundit të një pike shtesë për ndryshimin e vlerës së shpronësimit për disa njësi tregtare, të prekura nga projekti i rijetëzimit të zonës arkeologjike pranë Amfiteatrit Antik.

“Nuk jemi dakord që një propozim kaq i rëndësishëm të vijë në momentin e fundit…”, u shpreh këshilltar i opozitës, Ardian Muka.

Në qendër të kritikave ishin edhe fondet e papërdorura nga buxheti i vitit të kaluar. Sipas opozitës, rreth 30% e buxhetit ka mbetur pa u investuar për qytetarët.

“Fondi i trashëguar nga viti 2024 tregon se buxheti ishte një buxhet jo real, për interesat e qytetareve durrsake. Fakti që janë 1,4 miliard lekë të parealizuara vitin e kaluar nga bashkia e Durrësit, pra që nuk janë vëne në dispozicion të shërbimeve për qytetarët”, shtoi Muka.

Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi tha: “Këto fonde janë pjesë e projekteve që po zbatohen dhe do të mbyllën kontratat e investimeve.”

Një tjetër pikë e debatueshme ishte ajo për financimin me 12 milionë lekë të një qendre komunitare, pas ndërprerjes se fondeve nga USAID. Opozita ngriti dyshime për mungesë transparence në shpërndarjen e fondit social.

Edlira Harizi, këshilltare PD u shpreh: “Në mungesë të një analize të qartë dhe dokumentacionit të plotë, kjo pikë lë vend për aludime.”

Ndërkohë, drejtoresha e Shërbimit Social, Meme Xhaferaj tha: “Në janar u nënshkrua kontratë me Ministrinë për 7 punonjës, ndërsa dhe pjesa tjetër e stafit mbulohet nga fondet e bashkisë pas tërheqjes së USAID.”

Të gjitha projektvendimet kaluan me votat e shumicës. E vetmja pikë që u miratua unanimisht ishte ajo për fondin e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

Top Channel